Hysri Selimi është dënuar me gjashtë (6) vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për spiunazh në favor të Serbisë.
Aktgjykimi, siç raporton “Betimi për Drejtësi”, u shpall të hënën nga Kryetari i Trupit Gjykues, Leon Përlaska, dhe anëtarët e tjerë të trupit gjykues: Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti.
Selimi u dënua me gjashtë vjet burgim i cili duhet të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Ai ka qenë i dënuar edhe më herët për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.
Selimi, që nuk ishte i pranishëm kur u shpall aktgjykimi dënues për të, obligohet të paguajë edhe 100 euro paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në seancën fillesatare gjyqësore për të, ai ishte deklaruar i pafajshëm. Atij i ishte ngritur aktakuzë më 9 shtator 2025.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi akuzohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), ka ndihmuar në vazhdimësi punën e shkërbimit sekret serb në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.
Aty theksohet se Selimi sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s, të cilët e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare – madje i kishin premtuar blerjen e një shtëpie – më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri përmes aeroportit të Stambollit me mision të caktuar nga BIA.
Në aktakuzë thuhet edhe se Selimi fillimisht iu bashkua ISIS-it, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, në aktakuzë theksohet se Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Si shpërblim për këto informacione, BIA e paguante Selimin deri në 700 euro, theksohet në aktakuzë.
Hysri Selimi ishte dënuar edhe në dhjetor të 2022-së me 4 vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS. Atje, ai kishte shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it.









