Avdullah Hoti, ish kryeministër i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje që të protestohet në mbështetje të projektit amerikan për sjelljen e gazit natyror në Kosovë dhe mbrojtjes së aleancës mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Unë bëj ftesë që odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Hoti ka thënë se kundërshtimi i Vetëvendosjes ndaj këtij projekti është si pasojë e siç e quan ai orientimit të tyre anti-amerikan.

“Sot, secili e ka të qartë se ato kundërshtime burojnë nga orientimi antiamerikan i LVV-së. Dhe kjo nuk është gjë e re. LVV-ja ka qenë kundër negociatave të Vjenës që sollën pavarësinë, si dhe kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që hapi rrugën e integrimit evropian të Kosovës”.

Hoti ka thënë se projekti për gazin amerikan është tërësisht në linjë me projektet e planifikuara energjetike në Kosovë për diversifikim të burimeve dhe se mos-realizimi i tij ka pasoja afatgjata ekonomike për qytetarët e Kosovës.

“Ky projekt është plotësisht komplementar me të gjitha projektet energjetike të parapara nga Kosova, duke i mundësuar Kosovës diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e plotë të furnizimit”, ka potencuar tashmë deputeti i LDK-së Hoti.

Hoti ka theksuar se refuzimi i projektit ka rreziqe që shkojnë përtej atyre ekonomike, pasi shtrirja e gazit natyror në Ballkan shihet nga Amerika edhe si mekanizëm për të zbutur ose larguar ndikimin rus dhe kinez në këtë rajon.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte refuzuar projektin e propozuar amerikan për furnizim me gaz natyror, pasi që ekzekutivi prishtinas kishte vënë kushte të parealizueshme.

Projekti për zhvillimin e infrastrukturës për furnizim me gaz amerikan ishte negociuar mes Qeverisë së Kosovës dhe agjencisë amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e cila kishte zotuar rreth 200 milionë dollarë për projektin në fjalë.

Administrata e atëbotë presidentit amerikan, Joe Biden, e kishte futur Kosovën në buxhetin e agjencionit federal, MCC, me qëllim që Kosova të përfitonte 200 milionë dollarë të pakthyeshme për ndërtimin e gaz-përçuesit në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nga ku më pas të lidhej me rrjete ndërkombëtare të gazit natyror.