Në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka nisur intervistimi i Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. I njëjti, sipas raportimeve mediatike do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me “Arkitektin e Kryeqytetit” në Prishtnë.
Para hyrjes në objektin e Prokurorisë Speciale, Kryetari i Kryeqytetit u deklarua shkurt para mediave.
“Iu kam tregu, detyra jem është me e ndërtu kryeqytetin, detyra e tyre është me e pa që krejt bëhet në mënyrë ligjore”, tha Rama.
Sipas raportimeve, dyshimet kryesore rreth projektit të “Arkitektit të Kryeqytetit” në Prishtinë, lidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e lartë të kontratës dhe dyshimet për manipulim stafi.
Prokuroria Speciale në anën tjetër nuk është deklaruar ende në lidhje me çështjen.
Vetëm pak ditë më herët, Prokuroria Speciale pushoi hetimet ndaj Kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, Ministres, Fitore Pacolli dhe ish-Ministrit, Liburn Aliu.









