Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kur të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit, do të nis komunikimet me partitë politike për çështjen e formimit të institucioneve të reja.
“Porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, ka thënë Kurti shkurt për gazetarë të martën pasi që është pyetur se a do të arrijë marrëveshje për formimin e institucioneve.
Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit pritet që të certifikohen shumë shpejt. Tanimë janë numëruar të gjitha votat, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ankesave.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhje me 47.13 për qind të votave, apo 382 mijë e 869 vota. Ky rezultat, ia ka siguruar VV-së 53 deputetë.
E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 19.44 për qind, apo 157 mijë e 892 vota. PDK në legjislaturën e 11-të do të ketë 22 deputetë.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69 për qind, apo 135 mijë e 567 vota. LDK do të ketë 18 ulëse Kuvendi.
E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.74 për qind, apo 54 mijë e 729 vota. AAK do ketë 7 deputetë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit u mbajtën për shkak të dështimit të deputetëve për ta zgjedhur Presidentin e ri.









