Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se Prishtina është veshur me flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pritje të ish-krerëve të UÇK-së, vendimi ndaj të cilëve do të shpallet më 16 shtator.

“Prishtina sot vishet me flamujt e lirisë sepse Kosova po pret kthimin e çlirimtarëve. Në çdo shesh, një simbol i historisë, sakrificës dhe krenarisë sonë”, shkroi ajo në Facebook.

Të premten, Liria ka Emër njoftoi se do të organizojnë “Marshin e Lirisë” më 12 shtator, katër ditë para shpalljes së vendimit për krerët e UÇK-së.

Ata njoftuan se që nga e shtuna e 22 gushtit e deri më 16 shtator do të organizojnë çdo ditë aktivitete në mbështetje të katërshes së UÇK-së.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i 2020-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Trupi Gjykues në Speciale, më 16 shtator do të shpallë aktgjykimin ndaj tyre.