Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me krerët e partive politike, ka thënë se Kryetari i VV-së, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe një takim para përfundimit të afatit për caktimin e mandatarit të dytë nëse ka apo jo, i cili përfundon me 5 nëntor, e në rast se nuk ka do të shkohet në zgjedhje.
“Kurti ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të skadojë afati 10 ditor që është për caktim të mandatarit të dytë dhe pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që e përfaqëson do të vijë me propozim apo jo, është çështje e tyre, po ne e kemi detyrim kushtetues që t’i respektojmë ato afate”, tha Osmani.
Pastaj, theksoi ajo, në qoftë se ka propozim për mandatar të ri, “atëherë hynë në shprehje dispozita të reja kushtetuese dhe afate të reja, por nëse nuk atëherë dihen edhe ato janë 30 deri në 40 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve”.
Deri në ditën kur të përfundojë afati, Osmani potencoi se “do të komunikoj sërish me kryetarët e parive, jo domosdoshmërisht do të mbaj takime individuale me secilin sepse ka disa që mendojnë që është ezauruar çdo mundësi, por megjithatë do të jem në komunikim me ta”.
“A do të ketë propozim për mandatar apo jo është çështje e partive politike të përfaqësuara në Kuvend sepse nuk kishte qëndrime të unifikuara se a mund të ketë mandatar tjetër apo jo”, shtoi ajo.








