Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i ka mbyllur diskutimet në seancën për buxhetin, por nuk e ka mbyllur seancën, duke u arsyetuar se mund të ketë ndryshime të qëndrimeve të deputetëve.

“Seanca mbetet e hapur në rast se kemi ndryshim të qëndrimeve dhe unë u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit që të mblidhemi dhe t’i kalojmë këto ligje që janë me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Basha.

Në seancën për buxhetin morën pjesë vetëm deputetët e Vetëvendosjes, ndërsa ata të ish-opozitës – PDK, LDK, AAK e NISMA – e bojkotuan, pasi që e konsideruan të paligjshme.