Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.

Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka dhënë detaje për rastin, duke bërë të ditur se, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, Gecit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

“KANOSJE – Prishtinë, 11.10.2026, 19:27. Më 13.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘kanosje’ ndaj viktimës, mashkull kosovar – gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raport.

Geci ishte shoqëruar mbrëmjen e kaluar në Polici, pasi kishte shkuar në ambientet e Televizionit Dukagjini, ku gazetari Lirim Mehmetaj po zhvillonte një debat me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Në fund të emisionit “Debat Plus”, moderatori i tij, Ermal Panduri, e kishte njoftuar Mehmetajn se një person nga familja Geci kishte ardhur në televizion dhe po e priste jashtë.

Ndërkohë, në oborr ndodhej edhe Policia e Kosovës.

Megjithatë, ngjarja kishte nisur që të dielën.

Mehmetaj ka treguar se, pas një postimi në Facebook për deputetin Fatos Geci, persona nga familja Geci i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin. Sipas gazetarit, pas refuzimit të tij, pasuan kërcënimet.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Mehmetaj ka treguar se personat në fjalë kishin shkuar edhe në zyrën e tij, ndërsa ai më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.

“E kam bërë atë postim. Prej familjes Geci më kanë thirrur dhe më kanë thënë ta heq postimin. Unë u kam thënë jo. Kanë propozuar të takohemi. Kam thënë: ‘Okej’. Më kanë thënë ta heq postimin, ndërsa unë u kam thënë jo”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pasi kishte refuzuar ta fshinte postimin, personat që kishin shkuar në zyrën e tij i kishin kërkuar t’ia ndryshonte përmbajtjen.

“Njëherë kanë qenë më komunikues, por unë u kam thënë jo, nuk hiqet. Më kanë thënë: ‘Ani, t’ia ndërrosh përmbajtjen’, ndërsa unë u kam thënë jo. Pastaj i kam larguar nga zyra”, ka treguar ai.

Mehmetaj ka thënë se, pas refuzimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime.

“Kur u kam thënë se nuk e heq, kanë kërcënuar, me të kuptuar se nëse nuk e heq…”, ka deklaruar gazetari.

“Në mëngjes kam shkuar në Polici dhe e kam paraqitur rastin. Unë mangup nuk jam, por që të ma diktojë dikush se çfarë të shkruaj, nuk ka shans, edhe sikur të rrotullohej toka e qielli. Nuk ka shans fare, fare, fare, askush”, është shprehur Mehmetaj.

“U kam thënë: ‘Në rregull, vazhdoni’. I kam larguar nga zyra dhe ata janë larguar. Pastaj kam shkuar në Polici dhe e kam paraqitur rastin, sepse po jetojmë në demokraci. Kam ndjekur rrugën institucionale”, ka shtuar ai.