Tri ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në.

Këto komente, Kurti i bëri në seancën e Kuvendit ku pritet që të votohet Qeveria e re e drejtuar nga ai.

“Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme. Sepse, është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës që ai e drejton është “i njëjtë dhe i qartë”.

Në Kosovë, theksoi Kurti, “janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare”. “Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviç-in. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”.