Kjo që po e interviston Kryeprokurorin tashmë të zgjedhur është Elza Bajrami.

Pikët e saj kanë qenë vendimtare në emërimin e të dëshiruarit të pushtetit, Zejnulla Gashi, për ta marrë këtë pozitë, të cilin Elza Bajrami e kishte shef në Prokurorinë Themelore.

Pra, po e poentonte shefin e saj.

Por, ky moment nuk është njolla e vetme e Bajramit që tash është anëtare e Këshillit Prokurorial.

Asaj i është vënë pas Prokuroria Speciale.

VOX Kosova, nga burimet e veta, ka kuptuar se prokurorja Bajrami po hetohet lidhur me disa pagesa që i kishte marrë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Problemi është më i thellë.

Kjo prokurore përfaqësoi në gjykatë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër Kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, për veprën penale “detyrim”, e procesi përfundoi në shkallë të parë me një aktgjykim lirues për Ademin.

E vetëm pak kohë pasi ishte kundër Agim Ademit, Elza Bajrami u punësua në Federatë, funksion që e ka akoma dhe për të cilin paguhet.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2024, ajo nga Federata kishte arkëtuar 600 euro, ndërsa në vitin 2025 mbi 3.900 euro.

Në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, anëtarja e KPK-së ka bërë shkelje.

Neni 14 i tij thotë se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë”.

Me sa duket, Prokuroria Speciale do të ketë mjaft punë me këtë zyrtare, e cila, pos tjerash, ndihmoi Zejnulla Gashin të bëhet Kryeprokuror.