Një shpërthim i fuqishëm ka goditur një ndërtesë në qytetin jugor iranian të Bandar Abbasit të shtunën, bëjnë me dije mediat shtetërore atje.
Shkaku i shpërthimit, i cili i mori jetën një vajze të vogël, nuk është zbuluar akoma.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars, e afërt me shtetin, mohoi sipas saj “thashethemet” se gjeneral brigade Alireza Tangsiri, komandant i Marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), është vrarë.
Shpërthimi ndodhi në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, pas paralajmërimeve të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, për mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Iranit.
Një zyrtar amerikan ka thënë për “CNN” se shpërthimi nuk ka lidhje me ndonjë veprim ushtarak të SHBA-së, ndërsa një zyrtar izraelit tha se Izraeli nuk ishte i përfshirë.
Pamje të publikuara nga Fars të shtunën treguan se shpërthimi kishte shkatërruar katër katet e poshtme të një ndërtese nëntë-katëshe në Bandar Abbas.
Agjencia bëri të ditur se një vajzë katërvjeçare humbi jetën në shpërthim dhe se 14 persona u plagosën.
Shefi i zjarrfikësve të qytetit tha për agjencinë Tasnim se të gjithë banorët e ndërtesës janë evakuuar dhe se shërbimet emergjente po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkakut të incidentit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi më 22 janar se një “armatë” ishte duke u drejtuar drejt Iranit. Sipas “Reuters”, disa burime kanë thënë të premten se Trump po shqyrton opsione kundër Iranit, të cilat përfshijnë edhe sulme ndaj forcave të sigurisë.