Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se lufta kundër Iranit “nuk do të zgjasë me vite”, ndërsa konflikti u zgjerua me Izraelin që sulmoi sërish milicinë Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban dhe me Iranin që goditi shtete të Gjirit që strehojnë baza amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili të shtunën nisi sulme ndaj Iranit së bashku me Izraelin, fillimisht parashikoi që lufta do të zgjaste katër deri në pesë javë, por më pas është përpjekur të justifikojë një luftë të gjerë dhe me afat të pacaktuar.
Ndërkohë, Irani ka nisur sulme me raketa dhe dronë jo vetëm kundër Izraelit dhe forcave amerikane, por edhe ndaj disa vendeve të rajonit aleate me SHBA-në, duke paralizuar dërgesat jetike globale të energjisë nga Gjiri dhe qindra linja ajrore.
IZRAELI FLET PËR LUFTË QË ZGJAT VETËM ME “JAVË”
Netanyahu hodhi poshtë idenë që konflikti të zgjasë me vite, si luftërat e mëparshme në rajon.
“Kam thënë se mund të jetë e shpejtë dhe vendimtare. Mund të marrë pak kohë, por nuk do të zgjasë me vite. Nuk është një luftë pa fund,” tha Netanyahu në emisionin “Hannity” në Fox News të hënën.
Nënkoloneli izraelit Nadav Shoshani tha në një konferencë online se kohëzgjatja e fushatës ushtarake mund të ndryshojë, varësisht nga zhvillimet, duke shtuar: “Kemi përgatitur një kornizë të përgjithshme prej javësh.”
I pyetur nëse Izraeli mund të vendosë trupa tokësore në Iran, Shoshani tha se kjo është e pamundur.
Shpërthime tronditën ndërtesat në Tel Aviv ndërsa mbrojtja ajrore interceptoi raketat iraniane në hyrje.
Izraeli sulmoi kompleksin e transmetuesit shtetëror iranian IRIB në Teheran dhe militantët e Hezbollahut në qytete të Libanit.
Ushtria izraelite tha se ka dërguar më shumë trupa në jug të Libanit dhe i ka pozicionuar pranë kufirit si pjesë e “mbrojtjes së përparuar”. Pas armëpushimit të nëntorit 2024 me Hezbollahun, Izraeli mbajti trupa tokësore në pesë pika strategjike në Liban.
Të martën herët, dy dronë – me sa duket nga Irani – goditën ambasadën amerikane në Riad, duke shkaktuar dëme të vogla dhe zjarr, ndërsa të paktën tetë dronë të tjerë u interceptuan para se të arrinin në qytet, tha Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite.
Qindra civilë janë vrarë në Iran, Izrael, Liban dhe vende të tjera që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën duke vrarë nga ajri liderin suprem iranian Ali Khamenei të shtunën.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thanë se marina e tyre ka shkatërruar ndërtesën kryesore të komandës dhe selinë e një baze ajrore amerikane në Bahrein, në atë që e quajtën “Operacioni Premtimi i së Vërtetës 4”. Sipas tyre, 20 dronë dhe tre raketa goditën objektivat në bazën në zonën Sheikh Isa.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se “goditjet më të rënda nga ushtria amerikane ende nuk kanë ardhur”.
I pyetur sa kohë SHBA-ja do të angazhohet në Iran, Rubio tha se objektivat – shkatërrimi i kapaciteteve të raketave balistike të Iranit – mund të arrihen pa forca tokësore.
“Për momentin nuk jemi të pozicionuar për forca tokësore. Por presidenti i ka ato opsione dhe nuk do të përjashtojë asgjë,” shtoi ai.









