Ish-Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet në Ukrainë, në një kohë kur ky vend vazhdon që të jetë në luftë me Rusinë, raporton BBC.
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, tha Fedorov, 35 vjeç, në një video të publikuar në YouTube të martën, duke shtuar se Ukraina po lufton “pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë evropian”.
Që nga shpërthimi i luftës në vitin 2022, Ukraina është nën ligjin ushtarak, që do të thotë se zgjedhjet janë pezulluar.
Fedorov, i cili nuk e përmendi Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me emër në video, u shkarkua papritur nga posti i Ministrit të Mbrojtjes muajin e kaluar, vetëm gjashtë muaj pas emërimit të tij.
Zelensky ende nuk ka reaguar ndaj videos së Fedorovit, shkarkimi i të cilit shkaktoi protesta në të gjithë vendin.
Sa shërbeu si Ministër i Mbrojtjes, Fedorov ishte tejet i popullarizuar. Ai u vlerësua për energjizimin e ministrisë, udhëheqjen e një fushate kundër korrupsionit dhe përdorimin e të dhënave për të analizuar dhe përpjekur për të përmirësuar performancën në vijën e frontit.
Shkarkimi i tij përgjithësisht besohet se lidhej me tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, shkruan BBC.
Brenda pak ditësh, edhe Syrskyi u zëvendësua, ndërsa protestat në rritje që kërkonin rikthimin e Fedorovit në detyrë shtuan presionin ndaj Presidentit ukrainas.
Fedorovit iu ofruan poste të tjera në Qeveri, përfshirë atë të Zëvendëskryeministrit për Inovacionin Ushtarak, por 35-vjeçari ka thënë se do të rikthehej vetëm si Ministër i Mbrojtjes.
Disa orë para se Fedorov të publikonte videon e tij, Zelenskyy konfirmoi se i kishte kërkuar parlamentit të konfirmonte ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, në këtë post. Votimi pritet të mbahej të mërkurën.
Fedorov nuk dha asnjë të dhënë për planet e tij politike në videon në YouTube, duke u përqendruar në vend të kësaj te nevoja për një “mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësojë Ukrainës të rikthejë një proces të plotë demokratik edhe në mes të një lufte të zgjatur”.
Thirrja e tij për zgjedhje ka zemëruar disa komentatorë ukrainas, përfshirë edhe ata që kishin mbështetur rikthimin e Fedorovit si Ministër i Mbrojtjes. Një nga kritikët e Zelenskyy-t argumentoi se edhe kundërshtarët më të ashpër të qeverisë e kuptonin se mbajtja e zgjedhjeve gjatë luftës ishte e pamundur.
Mandati pesëvjeçar presidencial i Zelenskyt përfundoi në maj të vitit 2024, por sipas Kushtetutës së Ukrainës, nuk mund të mbahen zgjedhje derisa të jetë në fuqi ligji ushtarak.
Kur presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi vitin e kaluar se Kievi po “e përdorte luftën” për të shmangur zgjedhjet, Zelenskyy tha se Ukraina ishte “e gatshme për zgjedhje” brenda 60-90 ditësh, nëse aleatët e saj do të ndihmonin në garantimin e sigurisë për to.
Ish-Ministër i Transformimit Digjital, Fedorov krijoi një “Ushtri IT të Ukrainës” vullnetare për të nisur sulme kibernetike ndaj rusëve në ditët e para pasi Putin-i nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Më vonë, ai udhëhoqi një fushatë të suksesshme për mbledhjen e fondeve të quajtur “Ushtria e Dronëve” dhe solli elemente të “gamifikimit” në luftë, duke krijuar një sistem që u jepte njësive ushtarake ukrainase pikë për goditjen e objektivave ruse.
Si Ministër i Mbrojtjes, fokusi i tij te dronët, lufta e teknologjisë së lartë dhe prokurimi vazhdoi, ndërsa ai i kërkoi themeluesit të SpaceX, Elon Musk, të ndalonte Rusinë nga përdorimi i satelitëve Starlink për sulme me dronë.
Kjo lëvizje është vlerësuar se shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në operacionet dhe përparimin e forcave ruse në vijën e frontit.
Në një postim në Facebook, pak pas shkarkimit të tij, Fedorov renditi arritjet e tij dhe tha se do të “vazhdonte… ta mposhtte armikun përmes asimetrisë, shpejtësisë së inovacionit dhe fuqisë organizative”.
Ukraina ka shtuar sulmet me rreze të gjatë në të gjithë territorin e Rusisë gjatë javëve të fundit, duke lëshuar qindra dronë për të goditur rafineritë e naftës dhe magazinat e shitësit më të madh online të vendit, Wildberries, vazhdon artikulli i BBC.
Moska pësoi “një nga sulmet më masive me dronë në kujtesën e fundit” të shtunën mbrëma, kur rreth 600 dronë u lëshuan drejt saj, sipas guvernatorit rajonal Andrey Vorobyov.
Gjatë sulmeve më të fundit ukrainase në të gjithë Rusinë, nëntë persona u vranë dhe 23 u plagosën, përfshirë një fëmijë, thanë zyrtarët lokalë.
Në orët e para të së martës, në sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës, u vranë 17 persona.









