Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i ka kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të ndërhyjë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale, por theksoi se ende nuk ka marrë përgjigje, pasi që ndoshta ka qenë i zënë.

Këto komente, Rama i bëri gjatë një bisede me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini në Greqi, në kuadër të margjinave të Forumit Ekonomik të Delfit.

“I thashë Presidentit Trump se kjo është diçka që duhet ta dijë, dhe ndoshta të ndërhyjë”, tha fillimisht Rama, për t’u pyetur nga gazetari nëse ka pasur ndonjë përgjigje. “Nuk më ka informuar ende, por ndoshta ka qenë shumë i zënë”, u përgjigj Rama.

Rama rikujtoi se çështjen e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ngriti para Presidentit Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes.

Ai deklaroi se Gjykata Speciale u themelua mbi bazën e raportit famëkeq të senatorit zviceran Dick Marty, që u sponsorizua nga rusët, i cili akuzonte UÇK-në për trafikim organesh.

“Po, pata privilegjin të isha me Presidentin Trump në ditën themeluese të Bordit të Paqes. Përmenda diçka që e kam shumë për zemër, që lidhet me drejtësinë ndërkombëtare. Konkretisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është krijuar mbi bazën e një raporti fantazish, që u sponsorizua nga rusët, nga delegacioni i Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës, që mbështeti një mocion për hetimin e të ashtuquajturave krime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në mënyrë specifike trafikimin e organeve njerëzore”, potencoi ai.

Kryeministri shqiptar theksoi se Gjykata Speciale u ngrit “për ta kthyer këtë raport fantazish në një proces kundër liderëve, dhe ata larguan nga detyra një president të zgjedhur, dhe e çuan në Hagë duke e futur në burg para aktakuzës, si dhe Kryetarin e Parlamentit, dhe më pas i gjithë procesi u shndërrua në diçka krejt tjetër”.

“Pra nuk ka ndodhur trafikim organesh njerëzore, dhe praktikisht ata akuzohen për udhëheqjen e një rebelimi kundër një pushtuesi dhe për bashkëpunim me NATO-n. Kjo është praktikisht thelbi”, shtoi ai ndër të tjera.