Në prag dhe në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 15 dhe 16 shtator, Platforma “Liria ka Emër” së bashku me mërgatën do të organizojnë tubim në Hagë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Tubimi do të fillojë më 15 shtator, në ora 22:00, dhe do të vazhdojë deri më 16 shtator, në ora 10:00, kur do të shpallet aktgjykimi.

“Dëshirojmë që të iu informojmë edhe për organizimin e një tubimi paqësor në Hagë, së bashku me mërgatën shqiptare në prag dhe në ditën e shpalljes së aktgjykimit në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ky tubim, synon të shpreh mbështetjen dhe solidaritetin me ish-udhëheqësit e UÇK-së, si dhe të përcjellë mesazhin e dinjitetit, respektit dhe mbështetjes së shqiptarëve nga Kosova dhe mërgata”, tha përfaqësuesi i “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli.

Për organizimin e këtij tubimi, Tasholli theksoi se do të deponohet kërkesë përkatëse pranë autoriteteve kompetente në Hagë dhe se ai do të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat dhe udhëzimet e tyre.

“Sipas planifikimit tonë, grumbullimi do të fillojë më 15 shtator në ora 22:00 dhe do të vazhdojë gjatë natës deri më 16 shtator në orën 10:00 të mëngjesit, kur pritet shpallja e vendimit”, potencoi ai.

Synimi i tubimit, Tasholli theksoi se është që këtë “ta shndërrojmë në një natë të pritjes duke qëndruar së bashku në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe të organizuar deri në momentin e shpalljes së vendimit”.

“U bëjmë thirrje të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në diasporë që aty ku kanë mundësi që të nisen një ditë më herët dhe t’i bashkohen në mënyrë të organizuar tubimit në lokacionin që do të përcaktohet nga autoritetet e Hagës”, potencoi ai.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime të pretenduara lufte.

Të katërt këta janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Prokuroria e Speciales.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Që nga e shtuna e 22 gushtit, “Liria ka Emër” është duke organizuar çdo ditë aktivitete në mbështetje të tyre.

Filluan me vendosjen e “Orës së Pritjes” në Prishtinë dhe vazhduan edhe në qytete të tjera.

Aktivitetet do të kulmojnë edhe më 12 shtator, kur do të mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Prishtinë, nën sloganin “Kosova po pret”.