Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se është në rrugë drejt Hagës, ku do t’i dorëzojë 200 mijë nënshkrime, të cilat i konsideroi si thirrje për drejtësi.
Këto nënshkrime, Gucati tha se do t’i dorëzojë në Gjykatën Speciale aty ku po mbahen padrejtësisht “ata që nuk u thyen kurrë, krerët e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës”.
“Në rrugë drejt Hagës, bashkë me mikun e bashkëluftëtarin Ali Mejzinolli, jo thjesht si udhëtarë, po si bartës të amanetit dhe vullnetit të një populli. Në duart tona mbajmë peticionin me 200 mijë nënshkrime, 200 mijë dëshmi gjallë, 200 mijë thirrje për drejtësi që do të dorëzohen në Gjykatën Speciale”, shkroi Gucati në Facebook.
Ky udhëtim, theksoi ai, “nuk është vetëm për individët, por për mbrojtjen e pastërtisë së luftës sonë çlirimtare”.
“Nuk mund të gjykohet liria. Nuk mund të pritet në pranga e vërteta e një kombi që u ngrit nga hiri për t’i dalë zot vatanit”.
200 mijë nënshkrime, ai potencoi se janë 200 mijë goditje mbi padrejtësinë.
“Liria ka emër, liria ka dëshmitarë, dhe populli i Kosovës nuk harron e as nuk dorëzohet. Drejtësia mund të vonojë, por ajo është e pashmangshme, sepse dielli nuk mbulohet me shoshë. Me kokën lart, për historinë tonë, për shtetin tonë, për çlirimtarët tanë!”.
Më 25 shkurt, kategoritë e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin nisur një peticion kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte në Hagë. Ky peticion po bëhej për t’iu drejtuar Gjykatës Speciale.









