Vjosa Osmani, ish-Presidente e Kosovës, i ka dalë në mbrojtje Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi që disa degë të kësaj partie, si ajo në Lipjan e Pejë, por edhe deputetë si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, i kërkuan dorëheqjen pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, në të cilat Osmani ishte bartëse e listës së LDK-së.
Sipas Osmanit, largimi i Abdixhikut do të ishte “dëmi më i madh” që mund t’i bëhet LDK-së.
“Kam bashkëpunuar me kryetarët e degëve që ju i përmendët për një kohë shumë të gjatë dhe e vlerësoj kontributin e tyre në LDK, e vlerësoj punën dhe angazhimin”.
“Mirëpo, në të njëjtën kohë, me lejoni ta them që puna që e ka bërë Lumir Abdixhiku, angazhimi i tij me mish e me shpirt për Lidhjen Demokratike të Kosovës, përgatitja e tij profesionale, dedikimi i tij ndaj interesave të Kosovës, mua më bëjnë të bindur pa asnjë hezitim, pa as më të voglin hezitim se gabimi më i madh dhe dëmi më i madh që mund t’i bëhet LDK-së në këtë moment janë kërkesat për eliminimin e tij”, tha Osmani në një intervistë në Debat Plus.
Dikush që, sipas saj, “jep vërtetë kontribut të rëndësishëm për LDK-në, dikush që e do aq shumë LDK-në, dikush që është i gatshëm të përbijë gjithçka dhe të heq dorë nga gjithçka, nga çdo përfitim të vetvetes së vet në mënyrë që LDK-ja të ec përpara dhe t’i ndihmojë edhe Kosovës që të ec përpara duhet të ruhet si aset”.
“Cilado parti që do ta kishte një aset të tillë do ta ruante e jo ta bënte të kundërtën”, potencoi ajo, derisa shprehi përkrahje të pa rezervë për vizionin e tij.
“Jo vetëm që e përkrah pa asnjë hezitim edhe punën, edhe angazhimin, edhe vizionin e Lumirit, por do të punojë bashkë me të që kjo parti të rritet në të ardhmen”.









