Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut do të protestojnë përsëri në Shkup më 18 maj. Ata do të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta do të fillojë në ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup.

Protesta është thirrur nga studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.

Nga Kosova mbështetje i kanë dhënë akterë të fushave të ndryshme, por jo Qeveria e kreu i saj Albin Kurti.

Studentët shqiptarë për arsyen e njëjtë kishin protestuar edhe më 6 prill.

Ata kanë thënë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke iu referuar Ligjit për Gjuhë.

Qëllimi i protestës, sipas organizatorëve, kishte qenë për t’i thënë “Stop diskriminimit institucional”.