Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dhënë përkrahje protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, që do të mbahet të hënën në Shkup.
Studentët shqiptarë atje përsëri do të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Historia ka dëshmuar se sa herë të rinjtë shqiptarë janë ngritur me guxim dhe dinjitet, zëri i tyre është kthyer në zërin e popullit dhe ka sjellë ndryshim”, shkroi Limaj në Facebook.
“Shqiponja gjithmonë fluturon më lart kur bijtë dhe bijat e saj qëndrojnë bashkë, me zemër, dije dhe vendosmëri, për të mbrojtur atë që i takon kombit të tyre”.
Protesta është thirrur nga studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Protesta do të fillojë në ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup.
Studentët shqiptarë për arsyen e njëjtë kishin protestuar edhe më 6 prill.









