Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dhënë mbështetje protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, që do të mbahet të hënën, në Shkup.

Studentët shqiptarë atje përsëri do të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

“Zëri i studentëve shqiptarë në Shkup nesër është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin e vet kombëtar”, shkroi Hamza në Facebook.

Ai theksoi se është gjithmonë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij. “Jemi me ju!”, përfundoi ai.

Protesta është thirrur nga studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.

Protesta do të fillojë në ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup.

Studentët shqiptarë për arsyen e njëjtë kishin protestuar edhe më 6 prill.