Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se kërcënimet ndaj paqes, stabilitetit dhe institucioneve demokratike në rajon vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.

Në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 22 qershor 2026, thuhet se veprimet e individëve që rrezikojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, vazhdojnë të përbëjnë një “kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për SHBA-në.

Gjendja e jashtëzakonshme ishte shpallur fillimisht më 26 qershor 2001 nga presidenti i atëhershëm amerikan. Masa synonte personat e përfshirë ose që mbështesnin dhunën ekstremiste në Maqedoninë e atëhershme dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe ata që pengonin zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Më vonë, në vitin 2003, administrata amerikane e zgjeroi urdhrin për të përfshirë edhe veprimet që pengonin zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

Në qershor të vitit 2021, presidenti amerikan e zgjeroi më tej fushëveprimin e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përfshirë korrupsionin e përhapur në Ballkanin Perëndimor, minimin e marrëveshjeve të pasluftës dhe dobësimin e institucioneve demokratike si kërcënime për interesat amerikane.

Ndërsa në janar të vitit 2025, përmes një urdhri të ri ekzekutiv, SHBA-ja vendosi masa shtesë përballë përpjekjeve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar institucionet e pasluftës, për t’u përfshirë në korrupsion të rëndë dhe për të shmangur sanksionet amerikane.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të pengojë përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike, si dhe integrimin e plotë të vendeve të rajonit në institucionet euroatlantike.

Për këtë arsye, presidenti amerikan ka vendosur që gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në vitin 2001 të mbetet në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026, duke e zgjatur atë për një vit tjetër.