Se Albin Kurti e ka armikun më të madh arkivën e tij të deklaratave kjo s’do diskutim.
Por ndryshimin drastik të tyre e kishte arsyetuar gjithmonë me kontekste. Po ç’kontekst, e ç’arsyetim do të gjesh këtë herë kryeministër, kur jo dekadë, e vite, por veç për pak muaj për të njëjtën çështje na i dhe kaq shumë qëndrime, brenda kontekstit të njëjtë.
“Unë e di që Presidentja Osmani, ka ambicie politike. Presidentja Osmani do pushtet dhe kjo është krejt në rregull, është plotësisht legjitime në demokraci.” Po deklaron tash Kurti.
Pra Vjosa Osmani do pushtet, andaj s’bënte për Presidente po thotë ai që dikur me Osmanin proklamonte duon e shpresës.
Në rregull, atëherë përse nuk jepej kjo përgjigje kur pyeteshe veç para pak kohësh, por na flisje për pamundësinë e numrave?
“Pse spo e kandidoni Vjosa Osmanin?”
“2 mars KURTI “Duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje.” Deklaronte Kurti.
Vjosa Osmani ishte e njëjtë. Pushtet donte edhe në atë kohë, politike sa të duash, por Kurti publikisht s’paraqiste ankesa në raport me të.
Madje, kishte kritika se opozita nuk e do Osmanin.
Dhe befasisht, vjen një tjetër shpjegim i Albin Kurtit për presidenten dhe po, brenda kontekstit të njëjtë.
“Duhet të jetë konsensual, për bindjen time të fuqishme, si shprehje e unitetit popullor, duhet të jetë jashtë skenës politike, të jetë mbi partiak, dhe të jetë dikush i cili nuk është pjesë e polemikave të aktualitetit dhe unë besoj që Kosova ka këso emrash.” Deklaron tani Kurti.
Tani, Kushtetuta e Kosovës është e njëjtë, nuk ka ndryshuar.
Atëhërë, përse në vitin 2021 deri edhe u morën deputetë nga parti të tjera, për t’ia mundësuar të bëhet presidente një person që ishte krejtësisht partiak, s’paraqiste unitet, s’ishte jahtë skenës politike po fort brenda saj dhe ishte qendra e polemikave të aktualitetit.
Nuk është hera e parë që Albin Kurti ish-bashkëpuntorët dëshiron t’i eliminojë politikisht
I ka ndodhur me më të afërtit.
Ama është hera e parë, që Albin Kurti nuk guxon të flas hapur kundër një ish-bashkëpuntori që tash po dëshiron ta eliminojë për shkak të hesapeve të tij.
Gjithashtu, është hera e parë që Kurti nuk është se po arrin ta prodhojë një version të besueshëm, prandaj edhe gjithë këto variante se përse e çoi vendin në zgjedhje e Osmanin s’e deshi.
Në gjithë këtë kohë, një deklaratë të vërtetë e ka prodhuar Albin Kurti.
Këtë qe e dha me 4 janar te ketij viti.
“Egziston mundësia jo vetëm teorike por edhe praktike qe ne të shkojmë prapë në zgjedhje …”








