“Fatkeqësisht, çka kemi marrë prapa është një ofertë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila jo vetëm që nuk është serioze, nuk është as parimore, nuk është as e drejtë. E vlerëson Lidhjen Demokratike të Kosovës më pak, qoftë në terma matematikorë, apo edhe në terma politikë, por e vlerëson LDK-në, nga aspekti i asaj që është ofruar, edhe më pak sesa partitë minoritare”, tha Vjosa Osmani më 14 gusht.

Vjosa Osmani është prova e gjallë se përvoja jo domosdoshmërisht përkthehet në dije. 

20 vjet në politikë dhe s’ka kuptuar gjë. 

Zonja Osmani, Albin Kurtit aq i bën a shkojmë në zgjedhje prapë. A zgjidhet presidenti. Kur zgjidhet Presidenti. Cili është ai president. A lind nesër dielli në perëndim, apo ka devijuar toka nga trajektorja e saj. 

Albin Kurti në këtë moment e ka veç një qëllim. Pa pasojë të rezultatit.

Qëllimi është poshtërimi yt.

Synimi i tij është që ti, jo Presidente, po të mos jesh bash asgjë. Në rastin më të mirë, të kesh ndonjë pozitë publike që të poshtëron. 

Kaq.

Në momentin që ke hy në betejë më të, s’ka më politikë, tash është personale me të. 

Ai nuk do veç me të zhdukë si presidente. Do me të zhdukë edhe si opsion. Me të zhdukë edhe si mundësi.

Ai e çoi vendin në zgjedhje që ti të mos ishe Presidente. Do ta çojë përsëri në zgjedhje që ti të mos jesh presidente. Sa herë të jetë nevoja.

Kjo lojë për të është e paçmim. Është dashtë me kuptu, Albin Kurti nuk punon për njerëz e me njerëz, por luan me njerëz, siç ka luajtur me ty. 

Me sa palë mend në kokë, pasi që paraprakisht del e na tregon në fushatë çka është një e zezë për të, ti shkon prapë më takim me të me idenë e bashkëpunimit?

Edhe një detaj për ty zonja amatore. 

Krejt bisedimet që i ka bë Albin Kurti me Lumir Abdixhikun, nuk janë për koalicion. E vetmja temë aty ke qenë ti. 

Albin Kurti në këto takime dhe në takimet e ardhshme do të mundohet ta mashtrojë Lumir Abdixhikun duke e bind t’iu braktisë. 

Atij, vetë, për momentin, i ofron gjithçka. 

Do ta gënjejë se është pasardhësi i tij në politikë. 

Do t’i premtojë parajsën sikur ty me premtimin për koalicion për 10-15 vjetët e ardhshme. Të kujtohet.

Abdixhiku nuk është bind akoma. Jo nga parimi, as nga besa me ty, por nga frika e tij.

Për momentin frikën për distancim me ty e ka më të madhe sesa lakminë për përrallën që ia ka treguar Kurti ku ai është personazh kryesor. 

Por, siç tregon historia dhe duke parë sa të padijshëm jeni, kam përshtypjen se do ta bind Abdixhikun, normalisht për ta hedhur si leckë më pas, siç të ka hedhë ty.