Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për 25 vjet, në krye të detyrës kanë rënë gjithsej 25 policë, për të cilët theksoi se janë krenarë se çfarë shembulli kanë dhënë për të gjithë zyrtarët policorë, shtetërorë e qytetarët e tjerë.
“Për këto 25 vjet në krye të detyrës kanë rënë gjithsej 25 policë dhe ne sot me mall e dhimbje e pikëllim i përkujtojmë që të gjithë ata por njëkohësisht jemi edhe krenarë se çfarë policësh ka shteti ynë dhe çfarë shembulli të mirë me vetëmohimin e tyre ata kanë dhënë për të gjithë zyrtarët policorë por do të thosha edhe zyrtarët shtetërorë e qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti në Ditën Memoriale të policëve të rënë në detyrë.
Kurti kujtoi edhe policët e rënë në detyrë në Veri të Kosovës: Enver Zymberin e Afrim Bunjakun. “Dita e sotme përputhet me 15 vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial, po garantonte siguri paqe e të drejta pa dallim”.
“Por, dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të dhe që prej atëherë Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, që ishin në detyrë, por edhe të tillë që t’i bashkohen asaj. Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit me urdhër të Beogradit”, tha Kurti.
“Qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua shumë etnia si përbërje e Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional, siç synonin ata”.
Republika e Kosovës, theksoi Kurti, “është më e sigurt se kurrë me parë edhe për shkak se Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë”.









