Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po mbështet hapur politikat anti-shqiptare të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, ka thënë Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Albini ka marrë anë që në mënyrë indirekte duket hapur në mbështetje të politikave anti-shqiptare të Hristjan Mickoski”, tha Ahmeti në një intervistë për “Euronews Albania”.
Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Ahmeti ka theksuar se janë tepër të irrituar nga deklarata e Albin Kurtit si Kryeministër i Kosovës, kur ka deklaruar se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare në Maqedoni.
“Dhe revoltën që e krijoi pa masë te shqiptarët, anti-shqiptarët një muaj ditë nuk e kanë hequr nga ekranet televizive, ja deklarata e kryeministrit të Kosovës, ai deklaron se gjuha shqipe nuk ka qenë zyrtare”, potencoi ai.
“Përse Albin Kurti merr anë?”, pyet Ahmeti. “Në këtë situatë Albin Kurti ka marrë anë dukshëm, që mua nuk më pengon, le të marrë anë sepse politikat e mia janë ndryshe në aspektin e politikave kombëtare. Unë kam bashkëpunuar me të gjithë politikanët në te gjitha vendet shqiptare, sepse neve si shqiptarë në Maqedoni na duhen raporte të mira me të gjithë shqiptarët”, shtoi.
Lideri i BDI-së përmendi edhe disa nga deklaratat anti-shqiptare të udhëheqësve maqedonas, të cilët janë partnerë të Kurtit.
“Përderisa Mickoski del fillimisht kundër korridorit 8, tani më vonë thotë është vepër shumë e madhe, por dy muaj televizionet e Maqedonisë janë marrë me korridorin 8, se korridori po ndërtohet në Shqipërinë e Madhe dhe ka qenë shumë irrituese për shqiptarët”.
“Përderisa del në fushatë presidentja dhe kërkon hapjen e lëndëve në Tribunalin e Hagës për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kjo kërkesë e presidentes do të thotë të gërvishësh në plagë të vjetra. Këto çështje ne i kemi mbyll. Tribunalin e kemi mbyllë, interpretimin autentik e kemi mbyllë në rrugë legjislative”, shtoi.
Të hapësh këto çështje, sipas tij, do të thotë të gërvishësh në plagë të vjetra. “Dhe, po preke në plagë të vjetra dhëmbin më shumë se plagët e reja”.









