Bartësi i Listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale të Komunës së Likovës nga radhët e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” – e drejtuar nga Ali Ahmeti – Zekrija Shahini, në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, është plagosur me armë zjarri në mesditën e së martës në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Shahini është qëlluar me armë nga disa persona me maskë. Ai ka marrë dy plagë, një në krahun e majtë dhe një në të djathtë. Mediat në Maqedoni të Veriut raportojnë se ai është jashtë rrezikut për jetë.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e kësaj ngjarje.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga partia e Ahmetit kanë thënë se janë të shqetësuar nga sulmi me armë ndaj kandidatit të tyre dhe bartësit të listës në Komunën e Likovës.
“Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga subjekti më i madh politik i shqiptarëve në RMV u kanë bërë thirrje të gjithë mbështetësve të tyre, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, “të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë”.
“Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren”, theksohet aty.