Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se në Mitrovicë të Veriut, qytetarë dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së varrezave kanë hasur në eshtra (mbetje mortore) që potencialisht mund t’iu përkasin viktimave të luftës.

Ata kanë bërë me dije se informacioni është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës.

Bëhet me dije se pas marrjes së informacionit, në vendngjarje ka dalë ekipi i përbashkët i përbërë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ekipi ka bërë verifikimin fillestar, dhe pas konstatimit nga eksperti mjeko ligjor, janë ndërmarrë procedurat për tërheqje.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për bashkëpunimin me qytetarët, që me raportimin e tyre kontribuojnë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

Ky bashkëpunim, thonë ata, mbetet thelbësor për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur.