Qëllimi i protestave studentore në Shqipëri, sipas Kryeministrit Edi Rama, është destabilizimi i vendit.
“Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën”, tha Rama të shtunën në një konferencë për media me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo.
Si edhe herëve të tjera, edhe kësaj radhe, tha se prapa protestave qëndrojnë duar të huaja.
“Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht”, pretendoi ai.
Rama sulmoi edhe mediat, të cilat sipas tij po e relativizojnë dhunën.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste e cila minimalisht duhet t’i bënte të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë, që sipas këtyre ekraneve… i përkasin një momenti transformues për Shqipërinë”, potencoi Rama.
Protestat e studentëve kanë filluar që gati dy javë. Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e Ramës, gjë të cilën ai po refuzon që ta bëjë.









