Vlora Hyseni, tashmë ish-shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar, i është dorëzuar autoriteteve të Shqipërisë në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.
Sipas Paparacit, Hyseni ka fluturuar nga Azerbajxhani drejt Kosovës.
E gjithë kjo pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut, caktoi masën e “arrestit në shtëpi” ndaj saj.
Sipas SPAK-ut, Hyseni “dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror”, me ç’rast është pezulluar nga detyra e drejtoreshës së SHISH-it.
Pas këtyre zhvillimev, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar lirimin nga detyra të saj. Njoftimin, Rama e ka dhënë përmes një postimi në profilin e tij në X.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi Rama në “X”.
Vlora Hyseni për një kohë ka ushtruar edhe pozitën e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në vitin 2021, pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, ajo u shkarkua nga kjo pozitë.
Dy vjet më vonë, në vitin 2023, ajo u caktua nga kryeministri Edi Rama në pozitën e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri.









