Sot (e martë, 17 shkurt), në përvjetorin e 18-të të pavarësisë së Kosovës, shqiptarët nga të gjitha trojet do të mblidhen në Prishtinë, jo për të festuar ditëlindjen e shtetit të Kosovës, por për të protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Protesta me moton “Drejtësi, Jo Politikë”, do të fillojë në ora 14:00, në sheshin që mban emrin e kryeheroit të shqiptarëve: Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

Ky marsh, i cili pritet që të jetë më i madhi në historinë e pasluftës në Kosovë, është organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe ka gjetur mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e shumë e shumë aktorë të tjerë politikë, pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqata të dala nga lufta, intelektualë, komunitete fetare, e tifo grupe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora i kanë dhënë përkrahje këtij marshi dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive.

Organizatorët e protestës kanë thënë se presin që mbi 200 mijë njerëz të marrin në protestën ku do të kërkohet drejtësi për krerët e UÇK-së.

Marshi “Drejtësi, Jo Politikë” zhvillohet në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-Shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselit, ish-Inspektorit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka hyrë në fazën finale.

Nga e hëna e 9 shkurtit kanë nisur fjalët përfundimtare të palëve. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i ka paraqitur Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së – gjë që u kundërshtua ashpër edhe nga krerët e institucioneve në Kosovë e Shqipëri – e më pas mbrojtësi i viktimave.

Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit filloi të premten dhe përfundoi dje (e hënë, 16 shkurt).

Më pas, trupi gjykues vazhdoi për dy orë parashtrimin e pyetjeve për palët dhe më vonë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, më 18 shkurt (nesër), në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.

Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në javën kur filluan fjalët përfundimtare, më 12 shkurt përkatësisht, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.

Nga njohësit e çështjeve juridike si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Kundër procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera – në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup – të cilat janë organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalë nga Lufta e UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këto akuza, ata janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-s, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.