Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur përkrahjen për protestën në Tiranë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbrojtje dhe kërkesë për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, Krasniqi e ka quajtur këtë protestë një thirrje për të gjithë shqiptarët në mbrojtje të luftës për liri.
“Shqiptarët në këmbë për drejtësi! Më 17 tetor, ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ të Tiranës, protestë gjithëkombëtare në mbrojtje të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë. Le të jetë kjo protestë thirrja e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe luftën tonë për liri. Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë: një zë, një qëndrim, një kauzë – drejtësi për çlirimtarët tanë!”, ka shkruar Krasniqi.
Protestën në Tiranë e ka mbështetur edhe Partia Socialiste e Shqipërisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një deklaratë për VOX Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Kjo është protesta e tretë, pas asaj madhështore të mbajtur në Prishtinë dhe tjetrës në Hagë.
Krerët e UÇK-së tashmë po mbushin 5 vjet në paraburgim dhe mbi dy vjet e gjysmë në seanca dëgjimore.
Në fund të nëntorit pritet të përfundojnë edhe dëshmitarët e mbrojtjes.
