Në ditën kur ka filluar fushata zgjedhore, Albin Kurti, nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ka dalur që të flasë për themelimin e xhandarmërisë, të cilën tha se do ta krijojnë në legjislaturën që do dalë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti tha se Xhandarmëria do t’i sigurojë kufijtë e Kosovës.

“Themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Kurti.

“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare si me mallra ashtu edhe me emigrantë, menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”.

Sipas Kurtit, modeli i xhandarmërisë “është praktikë e dëshmuar evropiane”. “Shtetet si Franca, Italia, Turqia, Spanja e Portugalia dhe jo vetëm kanë struktura të ngjashme me role dhe mandate të qarta…”.

“Po ndjekim praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet sipas sistemit tonë kushtetues, specifikave dhe rrethanave tona”, potencoi ai.

Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë, Kurti potencoi se do të bëhet me miratimin e Ligjit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ministri Sveçla u pyet nëse janë koordinuar me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për themelimin e xhandarmërisë, por tha se pjesë e grupit punues janë vetëm institucionet e Kosovës dhe theksoi se do të bisedojnë me të gjithë akterët e tjerë.

“Pjesë e grupit punues janë përfaqësuesi e institucioneve të Kosovës, duke filluar nga MPB, policia, AME dhe institucionet tjera që merren me siguri. Në vazhdimësia, siç e theksova, ne do të bisedojmë me të gjithë aktorët tjerë, në mënyrë që të gjitha idetë sugjerimet apo modelet që mund të inkorporohen në kuadër të xhandarmerisë së Republikës së Kosovës t`i kemi parasysh”, deklaroi Sveçla.

Ai tregoi edhe për detyrat që i ka grupi punues. “Grupi punës është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare edhe operacionale të themelimi të xhandarmeri si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së përmes ligjit te veçantë”, shtoi.