Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje politikanëve që të mos e paraqesin vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë si dënim ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, Abdixhiku ka thënë se procesi gjyqësor ndodhet në fazën e apelit dhe se nuk duhet të paragjykohet rezultati i tij.

“Ju lutem, mos e thoni, mos e thoni që dënohet UÇK-ja, sepse s’dënohet UÇK-ja. Ju lutem, kjo nuk bën të thuhet kështu”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se këtë qëndrim ua ka përcjellë edhe liderëve të tjerë politikë, duke theksuar se është i gatshëm të argumentojë se UÇK-ja nuk është kriminale.

“Jam në gjendje të argumentoj me secilin njeri kundërshtar të Republikës së Kosovës që UÇK-ja nuk është kriminale”, ka thënë kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar se nuk mund të paragjykojë procesin gjyqësor, përderisa ai është ende në zhvillim, por ka këmbëngulur se gjuha që e paraqet vendimin si dënim të UÇK-së nuk duhet të përdoret.

“Nuk po them katër, tre, dy, një, nuk mund ta paragjykoj procesin, sepse është në proces, ju lutem. Por ajo që po them është që nuk bën ta themi këtë gjuhë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Abdixhiku ka thënë se, edhe në rast se do të kishte një interpretim të tillë, Kosova nuk do të duhej ta merrte përsipër atë përgjegjësi.

“Kjo gjuhë nuk është e jona”, ka përfunduar Abdixhiku.