Për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahen këtë të diel, janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë.

Në njoftimin e Sistemit Prokurorial, theksohet se Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkohë, theksohet se Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote brenda dhe jashtë vendi kanë 2 milionë e 92 mijë e 174 qytetarë. Prej tyre, 22 mijë e 685 janë votues që marrin pjesë për herë të parë në proces zgjedhor.

Gjithsej, janë 949 qendra të votimit me 2 mijë e 550 vendvotime në të gjithë Kosovën.