Familja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në emrin e tij kanë ngushëlluar familjen dhe bashkëpuntorët e ish-kryeministrit të Shqipërisë, tashmë të ndjerit, Fatos Nano.

“Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano”, shkruan telegrami i ngushëllimit.

Telegrami nuk lë pa përmendur rolin që Nano ka pasur në politikën shqiptare, duke e quajtur liderin historik të Partisë Socialiste si “lider i pjekur” që ka kontribuuar në transformimin e politikës shqiptare dhe në hapjen e rrugës për brez të ri politik.

Familja e Thaçit ka përshendetur edhe përkrahjen që Nano i kishte dhënë çështjes së Kosovës para dhe gjatë luftës, duke e quajtur si historike.

“Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare”, thuhet në telegram.