Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ish-Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, gjatë luftës në Kosovë ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës, ndërsa tani është në mbrojtje të çlirimtarëve.

Këto komente, Krasniqi i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Clark nisi dëshminë e tij në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Dje, në mbrojtje të popullit tonë në Kosovë. Sot, në mbrojtje të çlirimtarëve tanë në Hagë. Gjenerali Wesley Clark mbetet me këmbëngulje në anën e drejtë të historisë – një pjesë të së cilës e shkroi me lidershipin e tij”, shkroi Krasniqi.

Në skenën e madhe të historisë, siç thotë ai, Clark shfaqet gjithmonë i njëjtë: “besnik, i vendosur, i drejtë”.

“Një mik që nuk mban uniformë vetëm në fushën e betejës, por edhe në betejën për të vërtetën. Ai nuk ndryshon. Sepse parimet nuk ndryshojnë. Historia e njeh. Ne e nderojmë. Faleminderit, Gjeneral Clark!”, përfundoi Krasniqi.