Në një mëngjes të hershëm e të mjegullt të 12 dhjetorit të vitit 2025, Në Autostradën “Ibrahim Rugova”, të cilës i mungon sinjalistika pothuajse krejtësisht, dy gra nga Shqipëria gjetën vdekjen.

Ato u përplasën me një kamion në një segment të autostradës ku kishte rrëshqitur dheu e për këtë arsye ishte shkaktuar devijim në rrugë, por raportimet tregonin se edhe devijimi në atë kohë, nuk e kishte sinjalistikën e duhur.

Ajo ishte shtuar dhe vendosur veç pasi aksidenti ndodhi e dy jetë humbën. 

Por, kjo nuk do të ishte fatkeqësia e fundit në rrugët e pamirëmbajtura e pa shënjëzime të Kosovës.

Do ndodhnin dhe aksidentë të tjera, për të njëjtat shkaqe.

Me 14 qershor në të njëjtin vend ku dheu nuk ishte larguar me vite të tëra një veturë humbi kontrollin prapë. Vdiq një grua e burri i saj po trajtohet aktualisht në Emergjencën e QKUK-së.

Një rrugë tjetër fatkeqe që nuk po përfundon me vite për arsye që askush s’di t’i tregojë në Dollc të Klinës u bë shkak për një tjetër aksident tragjik.

Vetura futet në rrugën që as s’është e përfunduar e as me sinjalistikw të duhur…

Bie nga lartësia, shoferi mbetet i vdekur në vend, familjarët e tjerë të lënduar rëndë.

Jo një, po tre veta të tjerë, tre të rinj, kishin vdekur në një segment rruge në Badovc, kur kishin në liqe meqë një urë që kishte filluar prej kohësh, nuk përfundonte dot.

Në mungesë sinjalistike, prapë.

Pra, ata që po punonin aty, nuk ishin kujdesur që dikush që nuk e njeh rrugën, ta ketë të qartë se aty përfundon, meqë s’ka urë.

Në gjithë këto vdekje, në secilën prej tyre, ka argumente se faji ishte njerëzor.

Diku se pati dhe në autostradë, meqë s’ishte mirëmbajtur.

Diku se devijimet në autostradë për shkak të atij dheu u bënë gabim, pa sinjalizim të qartë.

Diku se mungonte sinjalistika e plotë e diku se mungonte krejtësisht.

Për kundër kësaj, në asnjërin rast. Ama në asnjërin, asnjë ministër, asnjë zyrtarë shteti, askush, nuk ka marrë përgjegjësi për vdekjet.

Madje, kryeministri Albin Kurti mizorisht, kishte bërë fajtorë viktimat që s’patën kujdes të shtuar.

Njeriu që vetë dikur e pranonte se humbja e jetës nga aksidentet rrugore ka të bëjë me “Politikat e dështuara në administrimin e trafikut rrugor dhe kultura e papërgjegjësisë e cila merr modelin e keq nga disa njerëz të pushtetshëm”.

I njëjtë në fjalor ishte treguar edhe ministri i Punëve të Jashtme Xhelal Svecla, i cili barrën e fajit ua linte vetëm atyre që tashmë kishin pësuar më jetë.

Por, i rëndë edhe më tepër ishte ky fjalim i ministrit aktual të Infrastrukturës i cili deklaroi se s’ka çka thotë tjetër pos t’i urojë familjarët e të vdekurve me ngushëllime.

Po po, “urojë” tha.

Në papërgjegjësi totale, me nonshalancë të pashpjegueshme, arrogancë që s’durohet Qeveria e Kosovës ka tentuar ta kalojë edhe këtë problem të vdekjeve në aksidente rrugore që siç faktet tregojnë në shumicën e rasteve ka munguar ndërhyrja institucionale për t’i shmangur.

E kur përfundimisht, nga presioni publik, detyrohen të intervenojnë e të bëjnë diçka, e bëjnë keq. E bëjnë gabim.

Në një tender që s’është publikuar askund, përveç se njoftim në Facebook pa detaje, Ministria e Infrastrukturës tregoi se tashmë ka ndarë afër 5 milionë për të sanuar problemet në autostradat e Kosovës.

5 milionë euro për të larguar duqa dheu, të cilat normalisht do të duhej t’i largonte kompania që ka tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve. Po këto histori tragjike të vdekjeve janë pasqyra e tragjedisë qeverisëse që jo aksidentalisht e ka vrarë përgjegjësinë publike.