Çështja e zgjedhjes së presidentit është bërë pengesa kryesore për zhbllokimin e situatës institucionale në Kosovë.
Duke folur për vazhdimin e takimeve, Haxhiu bëri të ditur se Vetëvendosje dhe LDK pritet të takohen shumë shpejt.
Megjithatë, ajo tha se mbetet në dorën e LDK-së që të tregojë se kur do të ndodhë takimi.
“Sipas njoftimit që kryetari i Vetëvendosjes na dha, me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejt. I përket atyre që të tregojnë se kur do të ndodhë ky takim”, deklaroi Haxhiu
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas takimit konsultativ me liderët e partive politike, ata që i shkuan, tha se duhet të arrihet një marrëveshje për një kandidat konsensual, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
Sipas saj, partitë politike kanë qëndrime të ndryshme për hapat që duhet të ndërmerren për zhbllokimin e situatës.
Derisa Vetëvendosje kërkon që të ketë marrëveshje për presidentin para konstituimit të plotë të institucioneve, PDK, LDK dhe AAK kanë qëndrim që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe më pas të diskutohet për Qeverinë dhe presidentin.
Haxhiu tha se në takimin konsultativ, partitë që morën pjesë janë pajtuar për nevojën e dialogut dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja.
Haxhiu përmendi edhe qëndrimin e LDK-së për një president konsensual, duke thënë se tash duhet të diskutohet edhe për emra konkretë.
“Ta shfrytëzojmë këtë për të folur me emra të përveçëm për një kandidat konsensual. Për një kandidat që nuk është në ndonjërën nga partitë politike”, tha ajo.
.









