Në ditën kur do të mbahet protestë gjithëpopullore kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se do të nis komunikimet për takime me liderët e opozitës për çështjen e Presidentit.

Deklarimi i Kurtit vjen vetëm 5 ditë para se të përfundojë afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.

Në një prononcim për agjencinë e lajmeve Kosova Press, Kurti theksoi se do fillojë komunikimet me opozitën pasi që të përfundojë takimin e Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi Presidentin apo Presidenten e re”, tha Kurti.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti duhet që të zgjidhet më së largu deri më 6 tetor.

Në rast se deri më këtë datë nuk zgjidhet, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, vendi kishte shkuar në zgjedhje më 7 qershor.

Ndërkohë që Kurti paralajmëron fillimin e komunikimeve për takime me opozitën për këtë të enjte, në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu”, do të mbahet një protestë kundër vendimit të Speciales ndaj krerëve të UÇK-së.