Ukraina dëshiron paqe, por nuk është e gatshme të dorëzohet para Rusisë, tha Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një fjalim sfidues të hënën, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ndërsa liderët e huaj shprehën mbështetjen e tyre për Kievin zyrtar, transmeton Reuters.

I shoqëruar nga Kryeministri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, Zelenskyy vlerësoi qëndrueshmërinë e popullit ukrainas gjatë më shumë se katër viteve të luftës me Rusinë.

“Ukraina absolutisht dëshiron paqe, por nuk është e gatshme thjesht të dorëzohet”, tha Zelenskyy, duke paralajmëruar se Rusia nuk do ta ndalte agresionin e saj edhe nëse Ukraina do t’i pranonte kërkesat e Moskës për të dorëzuar më shumë territor në lindje të vendit.

I veshur me një këmishë tradicionale ukrainase të qëndisur, Zelenskyy falënderoi disa liderë të huaj që udhëtuan drejt Kievit për të shprehur mbështetjen e tyre të vazhdueshme, në 35-vjetorin e shkëputjes së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.

Burnham, i cili mori detyrën muajin e kaluar, tha se zgjedhja e Kievit për vizitën e tij të parë jashtë vendit tregon rëndësinë që ai i kushton ndihmës për mbrojtjen e Ukrainës.

“Jemi me ju në këtë luftë deri në fund, me zemër dhe shpirt”, tha Burnham, duke u zotuar se do ta vazhdojë këtë mbështetje “pavarësisht kërcënimeve të papranueshme të Rusisë ndaj vendit tim”.

Britania njoftoi të hënën se do t’i japë Kievit qasje në teknologji të klasifikuar, në mënyrë që Ukraina të nisë prodhimin e raketave kruiz evropiane SCALP me rreze të gjatë veprimi, të afta për të kryer sulme thellë brenda territorit të Rusisë.

Në përgjigje, Kremlini tha se përdorimi i teknologjisë së klasifikuar britanike do ta “ushqejë edhe më tej zjarrin” e marrëdhënieve të përkeqësuara mes dy vendeve, pasi javën e kaluar e paralajmëroi Londrën se do të ketë “pasoja” nëse furnizon Kievin me dronë, shkruan Reuters.

Burnham ishte planifikuar të bashkëkryesonte një takim virtual të “Koalicionit të të Gatshmëve” – një grup shtetesh që mbështesin Ukrainën – së bashku me Presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe Kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Liderët pritej të diskutonin kërkesën e Ukrainës për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, me qëllim ndalimin e raketave balistike ruse që godasin qytetet ukrainase.

Zelenskyy tha të shtunën se përpjekjet luftarake të Ukrainës janë vështirësuar nga një hendek prej 27 miliardë dollarësh në financimin e mbrojtjes për këtë vit. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia mund ta përshkallëzojë konfliktin më vonë gjatë këtij viti, duke mobilizuar rreth 300 mijë trupa shtesë pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.

Duke nderuar popullin ukrainas dhe ushtarët që po mbrojnë Ukrainën në luftë, Zelenskyy u bëri thirrje aleatëve t’i japin vendit “gjithçka” që i nevojitet për t’i dhënë fund luftës.

“Ne nuk po ju kërkojmë të luftoni për ne”, tha ai.

Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe zona të mëdha të territorit ukrainas janë shkatërruar që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt 2022.