Biznesmeni serb Vuk Hamoviç vazhdon të fitojë miliona euro nga Kosova për bartje të rrymës përmes kompanisë së tij Energy Financing Team, e njohur si EFT.

Sipas të dhënave të platformës rajonale “SEE CAO” për ankandet e energjisë, shihet se kompania e Hamoviçit ka fituar edhe këtë javë në ankandet për transport të rrymës nga shtetet e rajonit për në Kosovë.

Përveç saj, në ankandet e ditëve të fundit ka fituar edhe kompania GEN, ku kishte punuar si konsulent ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, e shpjegon skemën se si Kosova po paguan shuma të larta për bartjen e rrymës, ndërsa ankandet ditore zakonisht fitohen nga kompanitë EFT, EPS dhe GEN-i.

“Tash, në ankandet e bartjes së energjisë elektrike po del se jemi duke paguar shuma shumë të larta për bartjen e energjisë. Këto ankande zakonisht i fiton EFT, e cila lidhet me Vuk Hamoviç, EPS – Elektroprivreda Srbije nga Mali i Zi, si edhe GEN-i që lidhet me Martin Berishajn, i cili sot është edhe ambasador i Kosovës. I njëjti problem me çmime të larta të bartjes së energjisë shfaqet edhe nga Maqedonia, edhe nga Mali i Zi”, tha Ymeri.

“Energjia elektrike mund të jetë për KEDS ose për KESCO, por KOSTT e di sa paguajmë ne dhe sa energji vetëm kalon tranzit, pra pa kosto për ne. Ajo që mbetet e paqartë dhe duhet urgjentisht të shpjegohet është: KOSTT duhet të tregojë kush po e sjell energjinë elektrike, për sa para po e sjell dhe sa po paguajmë ne”.

Ymeri ngre shqetësimin se ndonëse energjia përfundon te KEDS ose KESCO, vetëm KOSTT e di saktë se kush e sjell energjinë, me çfarë çmimi dhe sa paguajnë konsumatorët, informacione që sipas saj, mungojnë plotësisht në komunikimin zyrtar.

“Po ashtu, në vitin 2024, KEDS – që e shpërndan energjinë elektrike – thotë se shpenzimet ndërkufitare janë rritur në 13.7 milionë euro, pra mbi 300 për qind. Edhe KESCO tregon se shpenzimet ndërkufitare janë rritur nga më pak se 1 milion euro në 9 milionë euro”, shtoi.

“E rëndësishme është të dihet se kemi aktorë që janë në të njëjtat procese: EFT vepron me Malin e Zi dhe Maqedoninë, por edhe GEN-i. Gjithashtu, rruga tjetër – nga Kosova në Maqedoni – kushton shumë më lirë”.

Rruga për operimin e kompanisë së Hamoviçit në treg u hap në shtator të vitit 2021, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë vendosi t’i zgjasë licencën deri në shtator të vitit 2026.

E siç dihet, ZRRE funksionon nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës.