Me 5 vota kundër dhe 4 për, Komisioni ka votuar kundër propozimit që anëtarët e këtij komisioni të realizojnë një vizitë në Kampin “Enver Zymberi” në Mitrovicë.

Propozimi i anëtarës së AAK-së, Albana Bytyqi u refuzua nga deputetët e Lëvizjës Vetëvendosje pasi që sipas tyre “hyrja në këtë kamp është e kufizuar”.

Qëllimi i vizitës ishte që të inspektohen hapësirat të cilat para rreth një muaji VOX Kosova kishte raportuar për gjendjën e mjerueshme që jetojnë e punojnë Policët Special të Kosovës aty.

Më 12 mars, Policia e Kosovës doli me njoftim për media duke thënë se raportimi i VOX-it ishte manipulim.

Më 23 mars, kryeshefi i Inspektoratit Sanitar doli me deklaratë dhe konfirmoi se kanë filluar inspektim në kamp.

Më 24 mars, u konfirmua se Inspektorati Sanitar e ka gjetur gjendjen në kamp saktësisht siç ka raportuar VOX Kosova dhe i ndaloi përkohësisht nga përdorimi disa ambiente brenda kampit.