Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndalur shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu i mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania Apetit SHPK, pas konstatimit të bakterit Salmonella Minnesota, si dhe ka konstatuar praninë e mykut në kofsha pule të ngrira, të markës Sanderson Farms, gjatë inspektimeve në kompaninë Elkos Group SHPK.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, ka konstatuar praninë e bakterit Salmonella Minnesota në mostra të mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga operatori Apetit SHPK. Bazuar në rezultatet laboratorike dhe në zbatim të neneve 7, 10 dhe 15 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit, vendosjen nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të identifikuara”, thuhet në njoftim.
Salmonella Minnesota, nga AUV-i kanë treguar se është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut. “Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit”.
AUV u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë produktet me numrat e identifikuar të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.
“Në përputhje me nenet 21, 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim, operatori është përgjegjës për sigurinë, gjurmueshmërinë, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve në bazë të vlerësimit të rrezikut, përfshirë asgjësimin kur është i nevojshëm”.
Po ashtu, nga AUV-i ka urdhëruar tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogrameve mish pule të markës Sanderson Farms.
“Gjatë inspektimeve zyrtare në kompaninë Elkos Group SHPK, ka konstatuar praninë e mykut në produktin kofsha pule të ngrira, të markës Sanderson Farms, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)”, thuhet në njoftim.
AUV ka theksuar se produkti është vlerësuar i papërshtatshëm për konsum njerëzor, “në përputhje me nenet 15 dhe 16 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, të cilat ndalojnë vendosjen në treg të ushqimit jo të sigurt, përfshirë produktet e prishura apo të papërshtatshme për konsum”.
“AUV ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3,130 kilogramëve (313 pako), nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Veterinar”.









