Dritan Abazoviç, ish-Kryeministër i Malit të Zi, dhe Filip Adzhiç, ish-Ministër i Punëve të Brendshme, janë marrë në pyetje nga Departamenti Special i Policisë malazeze, në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj, raporton gazeta malazeze “Vijesti”.

Biznismenit Ramaj, shtetësia, sic raporton “Vijesti”, i ishte dhënë pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë Abazoviç.

Abazoviç dhe Adzhiç janë marrë në pyetje para 10 ditësh, ku iu janë përgjigjur pyetjeve të zyratrëve të policisë lidhur me dokumentacionin mbi bazën e të cilit ishte vendosur t’i miratohej Ramajt regjistrimi në shtetësinë malazeze.

Ish-Kryeministri malazez me prejardhje shqiptare e ka pranuar për “Vijestin” se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit në Polici, por nuk ka treguar për detajet e intervistimit. Adzhiç nga ana tjetër nuk i është përgjigjur pyetjeve të medias malazeze.

Sipas “Vijestit”, Prokuroria Speciale Shtetërore dhe Policia malazeze po zhvillojnë hetime për të përcaktuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare kur, në fund të mandatit të Qeverisë së Abazoviç-it, biznesmenit nga Kosova iu dha shtetësia e nderit e Malit të Zi përmes të drejtës diskrecionale.

Ramaj akuzohet nga autoritetet malazeze për evazion fiskal. Në fillit të gushtit 2024, autoritetet e Malit të Zi kishin njoftuar se ai dyshohej se kishte dëmtuar buxhetin e shtetit malazez 2.2 milionë euro.

Disa ditë më pas, Ramaj, që ka qenë pronar i klubit futbollistik “Feronikeli” në Kosovë, ishte paraqitur në policinë malazeze, ku ishte arrestuar, por qe liruar më pas për t’u mbrojtur në liri me masën e konfiskimit të pasaportës.

Procesi gjyqësor ndaj tij është ende në zhvillim dhe seancat janë shtyrë disa herë, ndër të tjera për shkak të pritjes së ekspertizave financiare.