Pesë vjet qeverisje kanë shembur narrativen morale të Vetëvendosjes për një Qeveri të pastër.
Disa nga njerëzit e saj – ministra, zyrtarë të emëruar dhe funksionarë partiakë – kanë nisur përballjen me drejtësinë nën aktakuza e hetime për keqpërdorim e korrupsion.
Faruk Mujka është zyrtari i radhës i Vetëvendosjes, i rehatuar si Kryeshef Ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, që u njoftua për ngritjen e aktakuzës.
Sipas Prokurorisë, Mujka akuzohet për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”.
Akuzat lidhen me kohën kur ai ka shërbyer si nënkryetar i komunës së Mitrovicës.
Organi i akuzës bëri të ditur se Mujka, së bashku me Hysen Muzliukajn, ish-këshilltar i Faton Pecit, dyshohen se i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit dëm mbi 125 mijë euro.
Para tij, si i ulur në bankën e të akuzuarve, është edhe ish-Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, po ashtu zyrtar i Vetëvendosjes. Procesi gjyqësor ndaj tij ka filluar.
Krasniqi akuzohet se, bashkë me dy zyrtarë të tjerë në KEK, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës rreth 37 milionë euro duke favorizuar kompaninë “Litwin S.A.” me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldasë blloku A5”.

E në aktakuzën tjetër, dyshohet se Krasniqi kishte mundësuar tregtimin e energjisë për një kompani sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, dhe kështu u dëmtua KEK-u në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit bëri që edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të ftohet si dëshmitare.
Po për të njëjtin rast, ndonëse pa ndonjë pozitë qeveritare, u ftua edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Mediat zbuluan biseda të shpeshta në WhatsApp mes Mihalit dhe Krasniqit.

Zyrtarja e VV-së dukej të kishte përfshirje të madhe në punët e brendshme të KEK-ut. Madje, në një rast kërkonte të “mos ndalej rryma”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u intervistua dhe është nën hetim, bashkë me disa zyrtarë të tjerë, për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.
Shumë nga produktet e porositura në Poloni – vaji, mielli, sheqeri – nuk kishin ardhur. Në krejt këtë mesele ishte përfshirë një person që s’kishte lidhje me pozita shtetërore, Ridvan Muharremi, një furrtar nga Prishtina, i afërt me Vetëvendosjen.

Për këtë rast u ftua si dëshmitar edhe kryeministri Albin Kurti.
Por ai po e shmang ftesën tash e sa kohë, duke refuzuar të paraqitet në prokurori dhe duke kërkuar që “diskutimi” të bëhet në zyrën e tij.
Madje, ai akuzoi sistemin prokurorial se “ka qëllim të prodhojë lajm ndërkombëtar që kryeministri të intervistohet për një rast korrupsioni”. Në fakt, ai sërish e shijoi vëmendjen ndërkombëtare me refuzimin e ftesës.

E paprekur nga hetimi nuk ka mbetur as diplomacia.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar së voni nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale: “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Berishaj u përfshi në një skandal financiar të ekspozuar nga disa media në Slloveni, ku u kuptua se ai kishte kompani në Mal të Zi dhe paguhej nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd, për konsulencë.
Dhe pagesat shkonin deri në 600 mijë euro në total. Këto të ardhura ai nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion.
Dhënia me qira e fabrikës për trajtimin e mbetjeve shtazore e çoi në prokurori Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Hulumtimi i publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj nxori në pah dyshime për një skandal milionësh lidhur me këtë kontratë.
Për të njëjtin rast u intervistua edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pasi ministri Peci tha se kishte zhvilluar diskutime me të rreth kësaj kontrate.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, që la postin i pakënaqur me zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryetar Kuvendi, nuk ka larë krejt hesapet me shtet. Ai po hetohet për çështjen e ambalazhuesve të ujit. Nga Ministria e tij ishte arrestuar Naser Hafizi, që mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Nga ai pretendohet se ishte marrë vendim që borxhin prej 20 milionë eurosh të ambalazhuesve ndaj shtetit ta zbriste kundërligjshëm.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u intervistua si i dyshuar nga hetuesit policorë lidhur me kallëzimin penal për korrupsion që kompania “Sallahu Sh.p.k.” e bëri ndaj tij e të tjerëve për projektin e zgjerimit të rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë – Dollc. Ai u intervistua edhe për projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit ishte karta kryesore e retorikës së Vetëvendosjes në rrugëtimin drejt pushtetit.
Nga një retorikë kundër korrupsionit, Vetëvendosje ka kaluar në një retorikë kundër drejtësisë, duke sulmuar prokurorinë e gjykatat për çdo hetim e aktakuzë ndaj zyrtarëve qeveritarë të VV-së.