Dhomat e Kushtetueses në Gjykatën Speciale në Hagë ia kanë refuzuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ankesën kundër Presidentes së institucionit, Ekaterina Trendafilova. Aty, Thaçi ishte ankuar se përmes veprimeve të saja, Trendafilova kishte shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Abuzimet me aktin më të lartë juridik nga ana e Trendafiloves, ai thoshte se ndodhën kur ajo caktoi gjyqtarët e vetëm, të shërbejnë edhe si gjyqtarë paraprakë.

Konkretisht, Nicollas Guillou dhe Mariorie Masellot – të caktuar si gjyqtarë paraprakë, u ishin veshur edhe përgjegjësitë e një gjyqtari të vetëm në fazë të mëhershme të procedurës.

Specifikisht, sipas avokatëve të Thaçit ishte shkelur neni 33 i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili thotë se “Kur ndonjë gjyqtar caktohet si gjyqtar i procedurës paraprake apo anëtar i ndonjë paneli për ndonjë çështje, ai nuk mund të jetë anëtar i ndonjë paneli tjetër në një fazë tjetër të së njëjtës çështjeje”, ashtu siç veproi kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova.

Kushtetuesja ka vlerësuar se ankesa kryesore e Thaçit, ajo për shkeljen e të drejtës për t’u gjykuar nga një “gjykatë e themeluar me ligj”, e garantuar me nenin 31(2) të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 6(1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – është e parakohshme, pasi procedura penale është ende në zhvillim dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar.

“Në këtë fazë të procedurës, ankuesi nuk mund të pretendojë se është viktimë e shkeljes së të drejtës për një gjykim të drejtë”, thuhet në vendim.

Duke u bazuar sipas tyre në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetuesja tha se “statusi i “viktimës” mund të konstatohet vetëm pasi procedura penale të ketë përfunduar, përveç rasteve të veçanta si zgjatja e paarsyeshme e procesit ose mohimi i qasjes në gjykatë – rrethana që, sipas Gjykatës, nuk janë të pranishme në këtë rast”.

Sa i përket pretendimit të dytë të Thaçit, që lidhet me shkeljen e të drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare (neni 36 i Kushtetutës dhe neni 8 i KEDNJ-së), për shkak të masave hetimore të autorizuara nga gjyqtarë që, sipas tij, ishin të emëruar në mënyrë të paligjshme, Gjykata ka konstatuar se “ankesa është e paargumentuar dhe shumë e përgjithshme”.

Ndaj Hashim Thaçit në rastin “KSC-BC-12”, ku akuzohet për pengim të drejtësisë, rëndojnë gjithësej 11 akuza.

Gjyqi për këtë çështje do të fillojë në fund t këtij muaji.