Vjosa Osmani, bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk është përgjigjur kur është pyetur në lidhje me nismën për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarë derisa po hynte në selinë e LDK-së, Osmani theksoi se për këtë temë është deklaruar dhe se i qëndron asaj që ka thënë, ku kishte dalur kundër shkarkimit të Abdixhikut.
“Jam deklaruar për këto tema më herët, qëndroj prapa atyre deklarimeve të njëjta. Vlejnë të njëjtat, të njëjtat përgjigje vlejnë edhe tash”, tha Osmani për gazetarë të hënën.
Më 1 korrik, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Osmani, pasi që disa degë të LDK-së, si ajo në Pejë e Lipjan, por edhe deputetë si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, i kërkuan Abdixhikut dorëheqjen, i doli në mbrojtje kreut aktual të LDK-së.
Sipas Osmanit, largimi i Abdixhikut do të ishte “dëmi më i madh” që mund t’i bëhet LDK-së.
“Kam bashkëpunuar me kryetarët e degëve që ju i përmendët për një kohë shumë të gjatë dhe e vlerësoj kontributin e tyre në LDK, e vlerësoj punën dhe angazhimin”.
“Mirëpo, në të njëjtën kohë, me lejoni ta them që puna që e ka bërë Lumir Abdixhiku, angazhimi i tij me mish e me shpirt për Lidhjen Demokratike të Kosovës, përgatitja e tij profesionale, dedikimi i tij ndaj interesave të Kosovës, mua më bëjnë të bindur pa asnjë hezitim, pa as më të voglin hezitim se gabimi më i madh dhe dëmi më i madh që mund t’i bëhet LDK-së në këtë moment janë kërkesat për eliminimin e tij”, tha Osmani.









