Shefi i Ushtrisë së Libisë ka humbur jetën në një aksident ajror në Turqi, kanë bërë të ditur autoritetet libaneze, raporton BBC.

Gjenerali Mohammed Ali Ahmed al-Haddad ndodhej në bord të një avioni Falcon 50, i cili u nis nga kryeqyteti turk, Ankaraja, mbrëmjen e së martës. Ai humbi jetën së bashku me katër zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se sinjali me avionin privat u humb në orën 20:52, rreth 42 minuta pasi ishte ngritur nga aeroporti i Ankarasë.

Avioni që po udhëtonte drejt Tripolit, kishte lëshuar një kërkesë për ulje emergjente para se të humbej kontakti. Më vonë, mbetjet e avionit u gjetën në jugperëndim të Ankarasë, ndërsa regjistruesi i zërit dhe kutia e zezë janë rikuperuar. Shërbimet emergjente ende po përpiqen të nxjerrin trupat.

Hetimet për shkaqet e rrëzimit janë duke vazhduar.

Në një postim në platformën X, Yerlikaya shkroi se policia kishte identifikuar mbetjet e avionit pranë fshatit Kesikkavak, në distriktin Haymana.

Në Libi, Abdul Hamid Dbeibeh, Kryeministri i Qeverisë së Unitetit Kombëtar (GNU), e njohur ndërkombëtarisht, tha se kishte marrë lajmin për vdekjen e gjeneralit Haddad dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë që ndodheshin në avion.

Kryeministri libanez e quajti këtë një “humbje të madhe” për kombin, duke thënë se Libia ka “humbur burra që i shërbyen vendit të tyre me sinqeritet dhe përkushtim”.

Gjenerali Haddad dhe ekipi i tij kishin qenë në Turqi për bisedime që synonin forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë mes dy vendeve përkatëse.

Turqia ka luajtur një rol gjithnjë e më dominues në Libi pas ndërhyrjes së vitit 2019, për të parandaluar që një ushtri nga lindja e vendit të rrëzonte qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli, dhe ka ndërtuar lidhje të ngushta politike, ushtarake dhe ekonomike.

Qeveria rivale e Stabilitetit Kombëtar në lindje të Libisë drejtohet nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar.

Shteti i Afrikës Veriore është goditur nga shumë grupe të armatosura që u shfaqën pas rrëzimit të Muammar Gaddafit në vitin 2011.

Një seri kryengritjesh të armatosura që çuan në vrasjen e diktatorit afatgjatë krijuan një vakum sigurie, duke e lënë pjesën më të madhe të vendit pa ligj dhe në kaos që nga ajo kohë.