Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, ka publikuar një letër që ia kishte dërguar Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, në vitin 2022, përmes të cilës kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërkohë që ata prisnin gjyqin.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se e bën publike këtë letër sot për një arsye të vetme: “sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”.

“Përgjigja e Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”, bëri me dije ai.

Ai tha se kërkesat e tyre qëndrojnë akoma, “e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, shtoi.

Letra e plotë e Kurtit për Trendafilovën:

Teksa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes, na rikujtohet gjithçka që vendi ynë ka kaluar dhe gjithçka që është përpjekur të arrijë që nga lufta e fundit: jo vetëm paqen, por edhe lirinë, barazinë, unitetin dhe integrimin, të vërtetën dhe drejtësinë.

Po ju drejtohem pikërisht sot sepse shumë herë duket sikur historia po na rrëshqet nga duart, po harrohet dhe po sulmohet nga pavërtetësitë, dezinformatat dhe fushatat me qëllim të keq.

Një nga shqetësimet tona është Dhomat e Specializuara, gjykata që u themelua në vitin 2015 dhe që filloi punën me aktakuzat e para në vitin 2020. Në fillim të nëntorit do të bëhen pothuajse dy vjet që nga koha kur personat e fundit të akuzuar nga Kosova po mbahen në paraburgim në Hagë, disa prej tyre edhe më gjatë.

Para disa muajsh pata rastin të takoj të gjitha ekipet mbrojtëse dhe të dëgjoj nga afër ankesat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre për procesin e tërësishëm. Kjo është arsyeja pse po ju shkruaj drejtpërdrejt — për t’i ndarë dhe adresuar këto shqetësime që janë me rëndësi të madhe për popullin tonë, për familjet e të akuzuarve, për sistemin e drejtësisë dhe, do të supozoja, edhe për vetë gjykatën.

Për hir të efikasitetit, do ta përqendroj këtë letër në dy çështje shumë thelbësore: de-kontekstualizimin e aktakuzave nga lufta në Kosovë, pra krimet e tmerrshme të kryera nga Serbia, dhe çështjen e lirimit me kusht.

Po e shfrytëzoj këtë rast për t’ju bërë thirrje që ta zhvendosni karakterin mono-etnik të gjykatës dhe ta riktheni në kontekstin e saj — luftën e Kosovës.

Nëse Dhomat e Specializuara janë krijuar për të adresuar krimet e kryera gjatë luftës, pse atëherë nuk po hetohen krimet e tmerrshme të kryera në Prekaz? Ose masakra e Mejës, masakra e Reçakut dhe qindra të tjera ku mijëra shqiptarë u vranë, u dogjën dhe më pas u hodhën në varreza masive?

Dikush mund të ndiejë nevojën të përgjigjet me: “Gjykata po heton pretendimet nga Raporti i Dick Marty-t.”

Por procesi ka treguar se kjo nuk është e saktë. Që në momentin e publikimit të aktakuzave, u bë e qartë për të gjithë të përfshirët në proces se asnjëri prej tyre nuk kishte të bënte me raportin e Dick Marty-t, duke e vënë kështu automatikisht në pikëpyetje pretendimin se kjo është arsyeja pse kjo gjykatë u themelua.

Sa i përket lirimit me kusht, kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga koha kur të akuzuarit po mbahen në paraburgim. Kjo nuk ka qenë e vështirë vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre — sidomos për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin shpesh.

Edhe kur munden, procesi i sigurimit të dokumenteve, aplikimi për vizë, marrja e vizës vetëm për një numër të kufizuar ditësh dhe udhëtimi çdo muaj përmes Vjenës për të arritur në Hagë, vazhdon të jetë tepër i mundimshëm.

Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërkohë që presin gjyqin, pasi Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë qëndrimin e tyre në arrest shtëpiak nëse është e nevojshme.

Për ta bërë këtë proces më të lehtë për familjet, por edhe për vetë të akuzuarit, unë jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve.

E nderuara gjykatëse Trendafilova, sinqerisht shpresoj që këtë letër ta trajtoni me të njëjtën seriozitet me të cilin e kam shkruar — me shqetësimin për popullin tim, për familjet e të akuzuarve dhe për vetë sistemin e drejtësisë.