Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, për nesër (e mërkurë, 11 shkurt) nga ora 12:00, është shtyrë për në ora 17:00, për shkak se të mërkurën mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të thotë fjalën përfundimtare në procesin ndaj gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së.

Kështu bëri të ditur, ish-Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ai tregoi se propozimi ka ardhur nga Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, dhe që është përkrahur nga të gjitha subjektet e tjera politike.

“Data mbetet nesër, mirëpo ora ka ndryshuar, kjo ka qenë me kërkesë të nënkryetares Vlora Çitaku, e cila për shkak të rrethanave që gjendemi nesër, ku do të ketë mbrojtja fjalën e vetë gjatë gjithë ditës”, tha Basha.

Ai tregoi se pas konstituimit të Kuvendit, do të vazhdohet edhe me votimin e Qeverisë.

“Në respekt të asaj që po ndodh në Hagë, të gjitha subjektet, liderët e subjekteve politike, kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në ora 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, shtoi ai.

Basha theksoi edhe se votimi i pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit do të bëhet në pako, ndryshe nga hera e kaluar kur tre nënkryetarët shqiptarë ishin votuar në pako, ndërsa ata të komuniteteve jo shumicë ishin votuar veç e veç secili.